Propozohet kompensim i naftës 50 lekë për litër për transportin publik
Pas reduktimit të shërbimit deri në 60 për qind, qeveria propozon subvencion për 3 muaj, por operatorët thonë se nuk mjafton për të përballuar kostot.
Në përpjekje për të zbutur krizën në sektorin e transportit publik, qeveria ka propozuar një skemë kompensimi për naftën në masën 50 lekë për litër, që pritet të aplikohet për një periudhë tre mujore.
Kjo masë do të përfshijë të gjithë operatorët e transportit publik në vend, në një moment kur sektori po përballet me vështirësi të thella financiare për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit.
Operatorët kërkojnë 100 lekë/litër
Përfaqësuesit e sektorit kanë kërkuar një subvencion më të lartë, në nivelin 100 lekë për litër, duke iu referuar skemës së zbatuar gjatë vitit 2022 në kushte të ngjashme krize.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Qytetas, Kostandin Foni, u shpreh se propozimi aktual nuk mbulon kostot reale të operatorëve, por e konsideroi si një hap pozitiv drejt rikthimit të normalitetit në shërbim.
“Ky është një hap i parë, por nuk mjafton për të përballuar kostot e rritura nga shtrenjtimi i naftës,” u shpreh ai, duke shtuar se nevojiten masa të tjera mbështetëse për stabilitetin e sektorit.
Kërkohen edhe lehtësira fiskale
Përveç kompensimit, operatorët kërkojnë një paketë më të gjerë masash, që përfshin heqjen ose pezullimin e përkohshëm të taksës së qarkullimit, uljen ose eliminimin e akcizës mbi karburantin dhe reduktimin e TVSH-së.
Sipas tyre, këto masa janë të domosdoshme për të ulur barrën fiskale dhe për të garantuar vijueshmërinë e një shërbimi publik esencial, sidomos në kushtet kur tarifat e biletave janë të rregulluara dhe nuk mund të rriten nga operatorët.
Sektori nën presion të fortë
Kriza në transportin publik është përshkallëzuar ditët e fundit, ku në të gjithë vendin shërbimi është reduktuar deri në 60%, duke krijuar vështirësi për qytetarët dhe duke rritur presionin mbi institucionet për ndërhyrje të menjëhershme.
Operatorët e rreth 450 linjave të transportit kanë paralajmëruar se, nëse nuk merren masa konkrete, mund të ketë ndërprerje të mëtejshme të shërbimit në ditët në vijim.